Evropa përfshihet nga protestat kundër kostos së jetesës, përplasje me policinë dhe arrestime
Mijëra qytetarë protestojnë në Evropë kundër shtrenjtimit të jetesës, krizës së strehimit dhe shkurtimeve publike.

Protestat kundër rritjes së kostos së jetesës kanë përfshirë disa vende evropiane, duke u shoqëruar me përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Incidentet më të rënda janë regjistruar në Gjermani dhe Francë, ku janë raportuar sulme ndaj policisë, dëmtime të bizneseve dhe qindra arrestime.
Në Gjermani, protestat përfunduan me incidente të dhunshme, pasi grupe protestuesish plaçkitën dyqane dhe u përplasën me policinë në disa qytete. Situata më e rëndë u regjistrua të shtunën në mbrëmje në Frankfurt, qendrën financiare të vendit, ndërsa përplasje dhe akte dhune u raportuan edhe në Berlin, Këln dhe Hamburg.
Policia gjermane bëri të ditur se përdori topa uji për të shpërndarë protestuesit, të cilët sulmuan forcat e rendit dhe shërbimet e emergjencës me fishekzjarrë, gurë dhe shishe.
Gjermani, protestat paqësore përfundojnë me dhunë dhe arrestime
Mijëra qytetarë morën pjesë gjatë ditës në demonstrata, të cilat fillimisht ishin kryesisht paqësore. Protestat u organizuan nga grupimi aktivist Gen Z regelt, që përkthehet si “Gjenerata Z merr drejtimin”, dhe kishin në fokus financimin e pamjaftueshëm të shkollave, rritjen e kostos së jetesës, shkurtimet e shpenzimeve publike dhe kundërshtimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm.
Me rënien e natës, situata u përshkallëzua. Në Frankfurt, policia bllokoi një pjesë të madhe të rrugës kryesore tregtare, pasi disa dyqane u sulmuan dhe iu thyen vitrinat. Sipas agjencisë AFP, autoritetet kryen një numër të konsiderueshëm arrestimesh.
Autoritetet në Frankfurt, Mynih dhe Berlin raportuan deri në 18 mijë pjesëmarrës në protesta, afërsisht gjysmën e numrit që kishin parashikuar organizatorët. Megjithatë, mediat gjermane raportuan se në disa qytete të vendit dolën në rrugë dhjetëra mijëra qytetarë.
Zëdhënësja e grupimit Gen Z regelt, Lina Friedrich, deklaroi se demonstratat synonin të mbronin paqen dhe lirinë, dhe jo të mbështesnin luftën apo detyrimin.
“Për ne, më e rëndësishmja është mbështetja më e mirë për sistemet shëndetësore dhe arsimore. Ne jemi kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe në favor të një shpërndarjeje më të drejtë të barrës financiare”, u shpreh ajo.
Në një njoftim në rrjetin social X, policia e Frankfurtit konfirmoi se në qendër të qytetit po zhvilloheshin “trazira të dhunshme”. Sipas autoriteteve, disa dyqaneve iu thyen xhamat, ndërsa ndaj shërbimeve të emergjencës u hodhën edhe bomba molotov.
Në përditësimet e mëvonshme, policia bëri të ditur se ishte sulmuar edhe një dyqan armësh, të cilit i ishin thyer vitrinat. Pas arrestimit të një të dyshuari, autoritetet sekuestruan dy armë.
Ministri i Brendshëm i landit të Hessenit, Roman Poseck, deklaroi se në protestën e Frankfurtit ishin infiltruar rreth 100 ekstremistë të majtë, të cilët, sipas tij, ishin identifikuar qartë. Ai i cilësoi zhvillimet e dhunshme si të turpshme dhe paralajmëroi kundër përsëritjes së skenave të ngjashme me ato të Francës.
Francë, mbi 320 mijë protestues dhe më shumë se 500 arrestime
Të njëjtën ditë, protesta masive u zhvilluan edhe në Francë, ku mbi 320 mijë persona morën pjesë në demonstrata në qytete të ndryshme të vendit.
Kjo ishte fundjava e tretë radhazi e protestave, kryesisht paqësore, kundër kostos së lartë të jetesës dhe dobësimit të shërbimeve publike, veçanërisht në sektorin e arsimit.
Autoritetet franceze angazhuan mijëra efektivë policie për menaxhimin e situatës. Në disa qytete u përdor gaz lotsjellës, ndërsa pas përplasjeve në Tuluzë, Lion dhe Marsejë u kryen mbi 500 arrestime.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, bëri të ditur se një efektiv policie ishte plagosur nga një bombë molotov. Ndërkohë, policia në Paris raportoi se disa qindra protestues të dhunshëm kishin sulmuar forcat e sigurisë me sende të forta.
Protesta edhe në Itali dhe Portugali, kundërshtohen ndryshimet për qiratë
Protesta dhe përplasje u regjistruan gjithashtu në Itali, në qytetet e Romës dhe Torinos, ndërsa pakënaqësitë për kushtet ekonomike dhe politikat publike u shfaqën edhe në vende të tjera evropiane.
Në Portugali, policia ndërhyri për të shpërndarë një kamp të ngritur me tenda, pas një marshimi ku mijëra qytetarë kundërshtuan një projektligj për qiratë.
Sipas protestuesve, ndryshimet e propozuara në legjislacionin për qiratë mund të përkeqësojnë krizën e strehimit, një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve, veçanërisht të brezave të rinj.
Të rinjtë në rrugë kundër krizës ekonomike dhe shkurtimeve të shërbimeve publike
Gjatë javëve të fundit, të rinjtë kanë dalë në protesta në disa vende evropiane, përfshirë Francën, Belgjikën, Irlandën, Spanjën, Portugalinë, Italinë, Greqinë, Serbinë dhe Shqipërinë.
Edhe pse kërkesat ndryshojnë nga një shtet në tjetrin, shqetësimet kryesore lidhen me rritjen e kostos së jetesës, vështirësitë për të siguruar një banesë, cilësinë e arsimit dhe shkurtimet e shpenzimeve për shërbimet publike.
Protestat e javëve të fundit tregojnë se pakënaqësia sociale dhe pasiguria ekonomike po kthehen në çështje gjithnjë e më të rëndësishme për brezat e rinj në Evropë, të cilët kërkojnë politika që përmirësojnë kushtet e jetesës dhe aksesin në shërbimet bazë.
Burimi: Ekofin
Më të lexuarat






k.jpg)